|
|
|
|
|
|
Prishtinë, 25 shtator 2024
Drejtoresha e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, Blerina Rogova Gaxha, është takuar në Berlin me drejtorin e Evropës Lindore të Bilbiotekës Shtetërore të Berlinit, Olaf Hamann, dhe udhëheqësin e Departamentit të Evropës Juglindore, Ivo Ulrich. Në takim ishte i pranishëm edhe Christian Voss, drejtor i Institutit të Studimeve Sllave dhe Hungareze në Universitetin Humboldt.
Në takimin e mbajtur në Berlin, u diskutua për fillimin e bashkëpunimit mes Bibliotekës Kombëtare të Kosovës dhe Bibliotekës Shtetërore të Berlinit, me fokus në projekte të përbashkëta, shkëmbime dhe tema me interes të përbashkët.
Olaf Hamman, tha se Biblioteka Shtetërore e Berlinit është e interesuar të pasurojë fondin e saj me literaturën që botohet në Kosovë, me interes të veçantë në literaturën e shkencave humane. Drejtoresha e BKK-së foli ndërkaq për rëndësinë e lidhjes së partneritetit ndërmjet BKK-së dhe Bibliotekës Shtetërore të Berlinit, shkëmbimin e përvojave dhe mbështetjen në procesin e transformimit digjital. Me këtë rast, Prof. Christian Voss nga Universiteti Humboldt i Berlinit foli për nevojën e qasjes së literaturës së botuar në Kosovë dhe mungesën e saj në këtë institucion.
Ivo Ulrich, përgjegjës për Evropën Juglindore në Bibliotekën e Berlinit, tha se jemi entuziastë për mundësinë e bashkëpunimit dhe se vizita juaj do të jetë një hap kyç në fillimin e bashkëpunimit tonë në të ardhmen, në interes të të dy palëve.
Biblioteka Shtetërore e Berlinit- Trashëgimia Kulturore Prusiane, është biblioteka më e madhe shkencore në Gjermani dhe furnizuesi qendror i literaturës kombëtare dhe ndërkombëtare. Që nga themelimi i bibliotekës në vitin 1661, janë grumbulluar më shumë se 11 milionë vëllime të materialit të shtypur. Koleksionet përfshijnë mbi 2.2 milionë vepra shtesë të shtypura, materiale të tjera unike dhe koleksione të veçanta: dorëshkrime perëndimore dhe orientale, autografe muzikore, depozita, koleksione personale, harta dhe gazeta historike.
|
|
|
|
|
|
|