»Biblioteka. Leximi. Dija.
Dita e Bibliotekës dhe Dita Kombëtare e Vetëdijesimit për Biblioteka

     
 
 

Prishtinë, 25 nëntor 2017

Në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”, të premten, në prani të shumë personaliteteve kulturore, politike, profesorëve, shkrimtarëve e dashamirëve të artit e kulturës, u shënua 73 vjetori i themelimit të Bibliotekës.
Sivjet, kjo ditë ka marrë edhe një kuptim të ri – Ditë Kombëtare e Vetëdijesimit për Biblioteka në Kosovë dhe ka bërë bashkë institucione shkencore e ato bibliotekare në një punë e projekt për t’i dhënë kësaj dite një motiv e mobilizim më të madh për bibliotekat që mbledhin, përpunojnë dhe ruajnë materialet bibliotekare me vlerë dokumentare për kulturën, artin dhe shkencën.
Në hapje të kësaj ceremonie kulturore, drejtori i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”, Fazli Gajraku, paraqiti një përshkrim të shkurtër të punëve dhe projekteve që Biblioteka ka realizuar gjatë këtij viti. Gajraku, shpjegoi se Fondet e Bibliotekës Kombëtare - nga ekzemplari i detyrueshëm, që i garanton Bibliotekës të kryejë misionin e vet si qendër e të dhënave kombëtare bibliografike dhe si qendër e grumbullimit të kopjes së materialeve të botuara e të shtypura të Kosovës, janë pasuruar me 860 tituj apo 4400 ekzemplarë. Ai shtoi se Bibliotekës këtë vit i janë dhuruar rreth 6 mijë ekzemplarë materialesh bibliotekare dhe se këtë vit Biblioteka ka blerë mbi 1 mijë tituj apo 3 mijë ekzemplarë.
Drejtori Gajraku pasi foli për gjendjen infrastrukturore të Bibliotekës, u bëri thirrje institucioneve qeveritare të nisin punën për rivitalizimin e këtij objekti, për të shpëtuar fondin me afër 2 milionë ekzemplarë materiale bibliotekare dhe për të krijuar kushte të duhura për përdoruesit dhe punëtorët e Bibliotekës.
Mbështetjen që ka pasur Biblioteka Kombëtare e Kosovës nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, e ritheksoi zëvendësministrja Burbuqe Deva-Bakija dhe tha se kjo mbështetje do të vazhdojë edhe në të ardhmen. Duke folur për rëndësinë që kanë bibliotekat për një shtet, ajo u ndal te rëndësia që ka Biblioteka Kombëtare e Kosovës dhe roli që ky institucion luan në afrimin e lexuesit me librin.
Rektori i Universitetit të Prishtinës, Marjan Dema, Ditën e Bibliotekës e vlerësoi si një ditë të veçantë për vetëdijen ndaj bibliotekave dhe si ftesë për kujdes ndaj dijes dhe për përpjekje të pakursyer në ngritjen e cilësisë në biblioteka në mbarë vendin.
Ditën e Bibliotekës dhe Ditën Kombëtare të Vetëdijesimit për Biblioteka, Dema i cilësoi si dy ngjarje të rëndësishme për bibliotekat që na lidhin me kujtesën dhe kujdesin tonë si shoqëri.
Zëvendësdrejtoresha e Sektorit për Marrëdhënie me Publikun e Ambasadës Amerikane, Erin Mains, përshëndeti këtë veprimtari kulturore në emër të Ambasadës Amerikane në Kosovë, institucion ky i cili ka një partneritet të jashtëzakonshëm me Bibliotekën Kombëtare të Kosovës. Ajo vlerësoi rolin dhe misionin e Bibliotekës për mbledhjen dhe ruajtjen e kujtesës individuale dhe gjithë popullit të Kosovës.
Bukurije Haliti nga Qendra e Bibliotekës Universitare dhe koordinatore e projektit për Shërbime mbështetëse të rrjetit bibliotekar, sqaroi se ky projekt, bashkëpunim i Universitetit të Prishtinës dhe Bibliotekës Kombëtare si dhe projektit të ERASMUS+, është paraparë për të përkrahur bibliotekat dhe për të ngritur vetëdijen mbi rëndësinë kulturore dhe arsimore që kanë bibliotekat.
Në ceremoninë e 73 vjetorit të themelimit të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”, siç është traditë, u dha çmimi për punëtorin e dalluar dhe këtë vit ky çmim iu dha Hazbije Xhemajlit. Biblioteka kishte përgatitur edhe nga një dhuratë simbolike, në shenjë falënderimi për punën shumëvjeçare të punëtorëve të cilët këtë vit janë dalë në pension dhe i përkasin brezit të parë të punëtorëve me arsimim bibliotekar: Nexhbedie Rizaj, Hazbije Xhemajli, Jehona Halili, Zize Kraja, Fadil Sopi dhe Nazmije Xhambazi.
Pas ceremonisë së hapjes, u hap ekspozita “At’ Zef Pllumi 1924-2007”, ndër më të rrallat e më të veçantat që është hapur ndonjëherë në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës. Këtë ekspozitë e kanë mundësuar të vijë në Prishtinë At Mirash Marinaj dhe At Vitor Demaj nga Provinca Françeskane Shqiptare. Ekspozita përmban dorëshkrime dhe sende personale të At Zef Pllumit, por edhe të Shtjefën Gjeçovit dhe Gjergj Fishtës.
Për nder të Ditës së Bibliotekës, u bë hapja solemne e bibliotekës personale të Esad Mekulit, bibliotekë kjo e cila vitin e kaluar iu dhurua Bibliotekës Kombëtare të Kosovës nga familja e poetit Mekuli. Kjo bibliotekë përfshin fotografi, dorëshkrime të shkruara me makinë shkrimi, dorëshkrime të shkruara me dorë, një koleksion librash autorialë, libra të përkthyer nga Esad Mekuli, si dhe tekste të botuara në gazeta dhe revista, që janë pjesë e koleksionit të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës. Biblioteka personale e Esad Mekulit tashmë gjendet në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës me strukturë të njëjtë siç kishte qenë në shtëpinë e vetë poetit, dhe është e hapur të vizitohet nga të gjithë.
Biblioteka Kombëtare e Kosovës në bashkëpunim me Universitetin e Prishtinës, në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Prishtinës, hapën ekspozitën e bibliotekës personale të Krist Malokit në 45 vjetorin e vdekjes së tij.
Programi i Ditës së Bibliotekës dhe Ditës së Vetëdijesimit Kombëtar për Biblioteka vazhdoi me dhurimin e librave disa bibliotekave komunale dhe shkollore të Kosovës si në Drenas, Restelicë të Dragashit, Lipjan dhe Kryshec të Pejës.

 

Biblioteka Kombëtare e Kosovës dhe Ministria e Diasporës

Biblioteka Kombëtare e Kosovës dhe Ministria e Diasporës

Biblioteka Kombëtare e Kosovës dhe Ministria e Diasporës

Biblioteka Kombëtare e Kosovës dhe Ministria e Diasporës

Biblioteka Kombëtare e Kosovës dhe Ministria e Diasporës

Biblioteka Kombëtare e Kosovës dhe Ministria e Diasporës

Biblioteka Kombëtare e Kosovës dhe Ministria e Diasporës

Biblioteka Kombëtare e Kosovës dhe Ministria e Diasporës

Biblioteka Kombëtare e Kosovës dhe Ministria e Diasporës

Biblioteka Kombëtare e Kosovës dhe Ministria e Diasporës

Biblioteka Kombëtare e Kosovës dhe Ministria e Diasporës

Biblioteka Kombëtare e Kosovës dhe Ministria e Diasporës

Biblioteka Kombëtare e Kosovës dhe Ministria e Diasporës

 
     
 
     


All rights reserved by The National Library of Kosova. Copyright © 2014