»"Lirinë e gjeta këtu"
Hapet ekspozita kushtuar 550-vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit-Skënderbeut

     
 
 

Prishtinë, 17 janar 2017

Në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”, sot, u hap ekspozita “Lirinë e gjeta këtu” kushtuar 550-vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, të prijësit me të cilin nis e merr formë ideja e identitetit shqiptar, ideja e shtetit shqiptar, ideja e bashkimit kombëtar.
Kjo ekspozitë e veçantë prezanton një kronologji të materialeve për Skënderbeun, vë në dukje një korpus të përzgjedhur të librave, artikujve, citateve dhe fotografive që janë në koleksionet e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës. Këto materiale po ekspozohen për herë të parë dhe shumë prej tyre pasqyrojnë figurën emblematike të Skënderbeut në kulturën dhe dijen në Kosovë.
Të pranishëm në ceremoninë e hapjes së ekspozitës ishin personalitete të rëndësishme të fushës së kulturës, arsimit, politikës, historianë dhe dashamirës të artit.
Drejtori i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, Fazli Gajraku, këtë ekspozitë e cilësoi si një provë të durimit dhe qëndrueshmërisë, por edhe të vullnetit të bibliotekarëve të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës për ta bërë këtë punë, si shenj e veçantë vlerësimi për lexuesin e Kosovës i cili kërkon burime për ta njohur apo studiuar figurën më të njohur të historisë e të politikës shqiptare, Gjergj Kastriotin – Skënderbeun.
Gajraku e cilësoi figurën e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut më monumentalen e kombit shqiptar, që ka tërhequr vëmendjen e shkrimtarëve, historianëve, studiuesve të historisë së religjioneve, të historisë së qytetërimeve, të piktorëve, skulptorëve, të kompozitorëve, të regjisorëve, e të rapsodëve. Ai shprehu gatishmërinë e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës që të kërkojë t’u gjejë vend të gjitha materialeve të botuara për Skënderbeun edhe në arkivat dhe bibliotekat e Kosovës.
Ministri për Kulturë, Rini dhe Sport, Kujtim Gashi rikujtoi se Qeveria e Republikës së Kosovës dhe Qeveria e Republikës së Shqipërisë, për të nderuar figurën madhështore të Skënderbeut, vitin 2018-të e kanë shpallur “Viti Mbarëkombëtar Gjergj Kastrioti – Skënderbeu”. Gashi vlerësoi se trajtimi historik, letrar e artistik i figurës dhe veprave atdhetare e guximtare të Skënderbeut ka ndihmuar që të ndriçohet madhështia e veprës së tij dhe e ka vënë në dritë përpjekjen dhe sakrificën e popullit shqiptar për liri, barazi e drejtësi ndër shekuj. Ai e çmoi lartë veprimtarinë e Skënderbeut, duke e cilësuar si ambasadorin më të mirë të mbrojtjes së vlerave civilizuese evropiane, të bëmat e të cilit patën ndikim jo vetëm te shqiptarët por edhe më gjerë.
Ekspozita “Lirinë e gjeta këtu” përfshin një sërë botimesh të rralla të autorëve shqiptarë dhe të huaj për Gjergj Kastriotin, mes tyre edhe dy botimet në origjinal të Historisë së Skënderbeut të Marin Barletit: botimi në gjermanisht i vitit 1533 dhe ai në gjuhën latine – i fundit, i njohur si botimi i katërt në këtë gjuhë, i shtypur në Zagreb në vitin 1743 nga Gjon Pagëzuesi, shtypshkronjë e shquar e Mbretërisë së Kroacisë.
Biblioteka Kombëtare e Kosovës, gjithashtu, botoi katalogun “Lirinë e gjeta këtu” me informacion bibliografik, i cili ndjekë një kronologji dhe një saktësim, për të treguar botimin e librave dhe të artikujve të gjetur për Skënderbeun, në fondet e Bibliotekës. Katalogu përmban 358 njësi bibliografike, prej të cilave 138 janë libra monografikë e pjesa tjetër shkrime të botuara në revista shkencore dhe në gazeta ditore.
Prej kërkimeve në shërbimet bibliografike të bibliotekave të botës, emri i Skënderbeut është gjetur në 45 trajta, i indeksuar në gjuhët gjermano-folëse, anglo-folëse, sllave e deri te gjuhët orientale, gjëm që paraqet shtrirjen e emrit të tij në kulturat e këtyre vendeve.
Ekspozita “Lirinë e gjeta këtu” do të qëndrojë e hapur në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës deri më 24 janar 2018.

 

Biblioteka Kombëtare e Kosovës dhe Ministria e Diasporës

Biblioteka Kombëtare e Kosovës dhe Ministria e Diasporës

Biblioteka Kombëtare e Kosovës dhe Ministria e Diasporës

Biblioteka Kombëtare e Kosovës dhe Ministria e Diasporës

Biblioteka Kombëtare e Kosovës dhe Ministria e Diasporës

Biblioteka Kombëtare e Kosovës dhe Ministria e Diasporës

Biblioteka Kombëtare e Kosovës dhe Ministria e Diasporës

 
     
 
     


All rights reserved by The National Library of Kosova. Copyright © 2014