» DREJTORI I BRITISH LIBRARY PRITI DELEGACIONIN DREJTUES TË BIBLIOTEKËS KOMBËTARE TË KOSOVËS

     
 
 

Londër, 14 - 16 mars 2016

Më 15 mars, delegacioni drejtues i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, i prirë nga Muhamet Hamiti, kryetari i Këshillit Drejtues të kësaj biblioteke, Nysret Krasniqi, këshilltar i Ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Fazli Gajraku, drejtor i BKK-së , si dhe Bukurije Haliti, anëtare e Këshillit drejtues, janë pritur në Londër, në një takim të veçantë, nga drejtori ekzekutiv i British Library - Roly Keating, si dhe bashkëpunëtorët e tij - Janet Zmroczek, udhëheqëse e Koleksioneve Evropiane

 

 
 

dhe Amerikane, si dhe - Marcie Hopkins, udhëheqëse e Zyrës për Programe Ndërkombëtare. Në këtë takim, delegacioni i udhëhequr nga kryetari Hamiti, prezantoi gjendjen dhe çështjet që janë me interes për Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, siç është përkrahja për Bibliotekën Kombëtare të Kosovës për të qenë pjesë e institucioneve të rëndësishme bibliotekare të Europës. Me shpresë se Kosova do të bëhet së shpejti anëtare e Këshillit të Evropës, drejtori i Bibliotekës Kombëtare të Britanisë së Madhe - Keating, nën udhëheqjen e të cilit drejtohet Konferenca Europiane e Bibliotekave Nacionale të Europës (CENL), premtoi përkrahje në rrugën e anëtarësimit të BKK “Pjetër Bogdani” në këtë institucion bibliotekar të rëndësishëm.
Po ashtu, në rrafsh bashkëpunimi bilateral, delegacioni i Kosovës kërkoi mbështetje në fushën e programeve për arsimim bibliotekar dhe zhvillim të koleksioneve, për çka mori premtimin se Biblioteka Britanike është e gatshme për të ofruar ekspertizë të çmuar në këto fusha, si dhe në atë të digjitalizimit dhe të ruajtjes digjitale të vlerave të kulturës së Kosovës dhe pasqyrimin e tyre, në të ardhmen, në bibliotekën digjitale evropiane.
Zoti Roly Keating shfaqi gatishmërinë për t’i ardhur në ndihmë Bibliotekës Kombëtare të Kosovës nëpërmjet një bashkëpunimi të frytshëm dhe konkret që do të krijonte mundësi për specializim të bibliotekarëve nga Kosova në programe të ndryshme të bibliotekarisë dhe të informacionit.
Delegacioni nga Kosova, pas takimit, bëri edhe një vizitë në ambientet e British Library dhe u informua për së afërmi për punën dhe aktivitetet e kësaj biblioteke. Vizita u përqendrua sidomos në koleksionet digjitale dhe digjitalizimin e materialeve të kësaj biblioteke.

 
         
 

 

 
 

 

     
 
 
 
 

» “Kosova në udhën e pavarësisë”
(Ekspozitë me tituj të zgjedhur, me rastin e 8-Vjetorit të Pavarësisë së Kosovës)

     
 
 

Prishtinë, 17 shkurt 2016

Në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”, me rastin e 8-Vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, është çelur ekspozita “Kosova në udhën e pavarësisë”, me tituj të zgjedhur të librave me përmbajtje historike e historiografike, që i përkasin fondit të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës dhe që dokumentojnë një histori të udhës nëpër të cilën ka kaluar Kosova përgjatë një shekulli deri në ditën e Pavarësisë.
Ekspozita është konceptuar si një shëtitje emocionale nëpër referenca,

 

 
 

si: kohë, vende, subjekte, autorë, protagonistë, për të njohur dhe kuptuar realitete të trashëgimisë historike e politike të Kosovës, që nga nisma e parë e një programi politik të shqiptarëve për pavarësi, që lidhet me Lidhjen Shqiptare të Prizrenit të vitit 1878, e deri me shpalljen e pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008.
Ekspozita përbëhet nga tituj kryesisht në gjuhën shqipe dhe aty-këtu në gjuhën angleze, gjermane e frënge, nga tituj prej të cilëve më i hershmi i ekspozuar këtu është libri Lidhja e Prizrenit, i autorit Mehdi Frashëri, e botuar në Tiranë nga shtëpia botuese Kristë Luarasi, në vitin 1938.
Drejtori i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës - Fazli Gajraku, në fjalën e hapjes tha se në janë të ekspozuar këtu libra për Kosovën e periudhës ku asgjë nuk mund të shkruhej për kulturën e historinë e saj pa u përmendur ajo e Shqipërisë dhe të periudhës kur mund të shkruhet veçmas për kulturën, historinë, e politikën e Kosovës. Dhe, sipas tij, brenda këtij korpusit të veprave të ekspozuara, mund të lexojmë e zbulojmë realitetet dhe të vërtetat e Kosovës, nga autorë bindjesh të ndryshme kulturore, politike e ideologjike.
Sipas z. Gajraku, ideja për të hapur këtë ekspozitë në këtë përvjetor të pavarësisë së Kosovës është dhe për të matur relevancën e informacionit dhe të koleksionit për Kosovën të Bibliotekës Kombëtare, për të parë se çfarë ka e çfarë nuk ka për Kosovën e që duhet ta kishte Biblioteka Kombëtare. Kjo do të mund të zbulohet edhe nga opinioni i qytetarëve të zakonshëm dhe i studiuesve e hulumtuesve, të cilët do të kenë rastin ta vizitojnë këtë ekspozitë dhe të japin informacion për atë çfarë shohin dhe çfarë kërkojnë të shohin në këtë ekspozitë. Kjo ekspozitë të jetë për të nxitur këtu e tutje një traditë për pasurim dhe zhvillim të koleksionit për Kosovën. Sipas tij, kjo ekspozitë kallëzon dhe se sa shterpe ishte kjo bibliotekë me referenca të vlefshme të tipit të studimit për historinë e Kosovës, gjatë kohës sa biblioteka kombëtare ishte Bibliotekë e Krahinës Autonome të Kosovës; ekspozita tregon se me çfarë kontrolli është mbajtur kjo bibliotekë për të mos pasur dëshminë shkencore e faktike për të vërtetën e Kosovës; se si është shtrembëruar e dekompozuar - pa e parë kush këtë trajtë dekompozimi të dëshmive të shkruara për Kosovën.
Ekspozita “Kosova në udhën e pavarësisë”, është e hapur nga 15 deri më 22 shkurt.

 
         
 

 

 
 

 

     
 
 
 
 

» PREZANTOHET EKSPOZITA “SINAGOGAT E EUROPËS LINDORE DHE QENDRORE, 1782-1944”

     
 
 

Prishtinë, 15 shkurt 2016

Në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “ Pjetër Bogdani, më 15 shkurt, është prezantuar ekspozita dokumentare “Sinagogat e Evropës Lindore-Qendrore, 1782-1944”. Ekspozita është organizuar nga Ambasada Hungareze në Prishtinë, në partneritet me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”.
Në ceremoninë e hapjes, në të cilën morën pjesë ambasadorë të akredituar në Kosovë, njerëz të kulturës e të dijes,

 

 
 

përfaqësues e drejtues të institucioneve të Kosovës, Ambasadori i Hungarisë në Kosovë, Laszlo Markusz, ka folur për dëshminë relativisht të gjallë që është ruajtur nëpërmjet elementëve përbërës të kulturës së sinagogave, pozitën dhe lidhjen e tyre me komunitetin hebre, në kuptimin fetar e kulturor dhe ndikimin që ato kanë pasur në identitetin kulturor të popullit hebre.
Më pas, ambasadori Markusz, ka kujtuar historinë e popullit hebre, vështirësitë që ka kaluar ky popull, duke shquar më pas edhe faktin se sa shumë personalitet të shquara kanë dalë nga ky komunitet, njerëz të shquar të letërsisë dhe artit, fitues të çmimeve të njohura botërore në fushën e shkencës.
Z. Markusz, ka kujtuar edhe vuajtjet që ka përjetuar populli hebre gjatë Luftës së Parë Botërore si dhe gjatë pushtimit të Çekosllovakisë dhe Polonisë nga nazistët.
Drejtori i BKK-së, Fazli Gajraku, ka thënë se kjo ekspozitë dokumentare, për audiencën e Kosovës, është një mundësi për të hyrë në të njohurat e të panjohurat e një kulture që lidhet me sinagogat, të cilat mishërojnë vlerat dhe identitetin hebraik, të mrekullisë arkitektonike origjinale e deri atë që e kanë mbajtur të fshehta muret, raftet e kutitë brenda tyre, si dije e urti të shkruar të popullit hebraik.
Z. Gajraku, e cilësoi këtë ekspozitë me fotografi si dokumentim i historisë së ekzistimit të sinagogave, të këtij tempulli që përbën palcën e kulturës hebraike dhe që rrëfen kalvarin e këtij populli përgjatë mbi një shekulli e gjysmë në Evropën Lindore dhe Qendrore, të një kulture aq të veçantë e aq të admiruar të qytetërimit njerëzor.
Ekspozita “Sinagogat e Evropës Lindore-Qendrore, 1782-1944”, ka qëndruar e hapur nga 15 deri më 20 shkurt.

 
         
 

 

 
 

 

     
 
 
 
 

» MINISTRI SHALA TAKON UDHËHEQËSIT E SHTËPIVE BOTUESE

     
 
 

Prishtinë, 27 janar 2016

Më 27 janar, Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala, ka realizuar një takim në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës me udhëheqësit e shtëpive botuese dhe drejtorin e kësaj biblioteke, z. Fazli Gajraku. Z. Shala, në këtë takim, ka folur për politikat funksionale që po ndërtohen nga Ministria për të përkrahur librat, botuesit dhe bibliotekat. Ai i ka inkurajuar botuesit, duke i njoftuar ata për rishikimin e politikave që favorizojnë veprimtarinë botuese,për përmirësimin e gjërave që

 

 
 

praktikisht ndonjëherë bëhen pengesë në mbështetje të veprimtarisë botuese, duke tërhequr vëmendjen, gjithashtu, për kujdesin që duhet ta kenë edhe botuesit në përpjekjen e tyre, që politikat e botimeve t’i kenë në përputhje me kërkesat e përdoruesve, në këtë kontekst edhe të bibliotekave publike, edhe pse, sipas z. Shala, botimi nuk është një përpjekje e cila duhet të përputhet gjithmonë me ekonominë.
Zëvendëskryeministri Shala, ka folur edhe për rolin thelbësor të botuesit për të vendosur se çfarë të botojë dhe si të përfitojë si një autoritet i rëndësishëm në procesin e përzgjedhjes sipas kriterit çfarë lexohet dhe se çfarë blihet; se si botuesit duhet të kenë në vazhdimësi tendencë për t’iu përgjigjur kërkesave të publikut / lexuesve, ndërsa që botuesit të mbrohen dhe t’u krijohet lehtësi në veprimtarinë e tyre botuese.
Drejtori i Bibliotekës Kombëtare, z. Gajraku, duke folur për Bibliotekën Kombëtare si qendër e depozitimit të kopjes së detyrueshme, e mirëmbajtjes së katalogut përmbledhës kombëtar dhe e hartimit të bibliografisë kombëtare, tha se bashkëpunimi dhe komunikimi efektiv me botuesit, do të ketë një ndikim të madh në pasurimin e koleksioneve, në këtë kontekst, edhe për të ruajtur gjithë korpusin e botimeve të Kosovës. Në këtë mënyrë, sipas tij, Biblioteka do të ketë mundësinë të grumbullojë dhe të ruajë gjithë trashëgiminë e botimeve të Kosovës, duke krijuar njëkohësisht edhe bazën e të dhënave për botimet e tyre, për organizimin dhe shpërndarjen e informacionit, por edhe të mundësisë që t’u ofrohet përdoruesve të zakonshëm e studiuesve të kenë mundësinë t’i përdorin koleksionet që vijnë nga veprimtaria e botimit të librit në Kosovë.
Botuesit kanë shprehur shqetësimin, në përballjen e tyre me shpenzimet e shumta për të botuar librin, duke përmendur këtu tregun e kufizuar, rënien e shitjes së botimeve, por edhe përballjen me aspektet joligjore të veprimtarisë së disa botuesve që cenojnë konkurrencën në treg. Ata kanë kërkuar më shumë vëmendje të politikave shtetërore për të përkrahur veprimtarinë botuese. Sipas tyre, krijimtaria kulturore dhe intelektuale e botuar duhet të jenë një fokus i rëndësishëm i shoqërisë dhe i zhvillimit të vendit në përgjithësi, prandaj edhe politikat e shtetit duhet t’i bëjnë të njohura dhe të zgjidhshme problemet nëpër të cilat po kalojnë botuesit në veprimtarinë e tyre botuese, siç janë konsekuencat e paparashikueshme në tregun e librit të varura nga bibliotekat, libraritë dhe kërkesat e tjera të tregut jashtë dhe brenda vendit.

 
         
 

 

 
 

 

     
 
 
 
 

» Kujtesa e Rugovës
(21 janar 2006 – 21 janar 2016)

     
 
 

Prishtinë, 21 janar 2016

Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani”, e mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporti, me rastin e shënimit të 10 vjetorit të vdekjes së Presidentit Ibrahim Rugova, ka mbajtur veprimtarinë kulturore “Kujtesa e Rugovës”.
Mes shumë të ftuarve, në këtë veprimtari, morën pjesë Kryeministri i Kosovës z. Isa Mustafa, zëvendëskryeministri dhe ministër i Kulturës, z. Kujtim Shala, familja e presidentit Rugova, bashkëpunëtorë të Rugovës, si dhe personalitete nga jeta politike e akademike në vend.

 

 
 

Ishte drejtori i këtij institucioni z. Fazli Gajraku, i cili hapi këtë veprimtari, duke theksuar se forma e veprimtarisë së sotshme për Rugovën në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës është përcaktuar të jetë si një përfshirje jona në një kujtesë emocionale për Rugovën dhe që përpiqet të kapë jehonën vizuale të fotografisë e të diskursit për Rugovën, secila e fokusuar në njërën nga dy fytyrat - të portretit njerëzor të tij, nëpërmjet fotografisë, në njërën anë, si dhe të mendimit të tij, nëpërmjet tekstit, në anën tjetër. Pra, duke parë e duke lexuar, ne të mund të jetojmë e përjetojmë jehonën intertekstuale të Rugovës.
Në këtë veprimtari, është promovuar libri “Kujtesa e Rugovës”, një libër studimor që jep rrjetin e dijeve të një sërë autorësh për Rugovën e profilin intelektual e kulturor të tij. Për librin ka folur studiuesi Nysret Krasniqi, i cili ka theksuar, ndër të tjerash, se Rugova, pas shkuarjes së tij, i përket trashëgimisë së Kosovës, për t’u shndërruar në ikonë të saj. Sipas tij, meqë Rugova nuk erdhi nga mizoritë, as nga ideologjitë dhe qëndroi Njeri i cili nuk e ushtroi pushtetin e gjuhës, për të motivuar vdekjet, për figurën e tij do të shkruhet gjithmonë dhe tekstet e mbledhura në librin “Kujtesa e Rugovës”, janë një shenjë e vogël për veprën e madhe të tij.

 
 

Është promovuar gjithashtu libri bibliografik i autorit Munish Hyseni “Ibrahim Rugova - bibliografi letrare 1961-2015”, për të cilën Fazli Gajraku ka theksuar se është vepër e dobishme dhe e mirëseardhur për studiuesit, hulumtuesit e veprës së Rugovës, po aq e mirëseardhur, si tip informacioni, edhe për bibliotekat, që duke hyrë në këtë rrjet burimesh me vlerë - librash e artikujsh, botime autorësh, vendesh e gjuhësh të ndryshme, të mund të përgatitim bazën e të dhënave nga e cila do të merret informacioni çfarë kanë e çfarë nuk kanë bibliotekat e Kosovës për Ibrahim Rugovën.

 
 
 

Në kujtim të Rugovës, është hapur ekspozita e fotografive dokumentare - Rugova, të Fahredin Spahisë, që, sipas autorit, fotografitë e bëra për Rugovën, nuk janë bërë me idenë për t’i ekspozuar, porse ka qenë një lloj reagimi karshi këtij personaliteti të jashtëzakonshëm - ikonë edhe intelektuale edhe politike e shqiptarëve.
Ky koleksion do të jetë prej sot koleksioni i parë i fotografive për një autor – Ibrahim Rugovën, në fondin e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës.
Biblioteka Kombëtare e Kosovës, në shënim të kësaj veprimtarie për Rugovën, ka hapur ekspozitën me botime të Rugovës dhe për Rugovën, që është pjesë e fondit të kësaj biblioteke. Janë të ekspozuar libra studimorë, teorikë, kritikë, eseistikë, biografikë, punime e ese të shkruara nëpër revista e gazeta, si një përzgjedhje, në përpjekjen që të jepet sa më e plotë tabloja për jetën dhe veprën e Ibrahim Rugovës, një pikënisje që përkon me marrjen dhe dhënien e asaj çfarë krijohet dhe çfarë ruhet nga trashëgimia e shtypur e kujtesës për Rugovën.

 
 

 

     
 
 
 
 


 
     
 
 
     


All rights reserved by The National Library of Kosova. Copyright © 2014