» JAVA E BIBLIOTEKËS NË KOSOVË - 2018

     
 
 

Prishtinë, 10 prill 2018

Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani”, të martën, ka hapur edicionin e gjashtëmbëdhjetë të Javës së Bibliotekës me temën “Arsimimi dhe trajnimi bibliotekar”, veprimtari kjo që do zgjasë deri më 14 prill.
Viti i gjashtëmbëdhjetë i Javës shënon vazhdimin e një përkrahjeje të Javës së Bibliotekës nga Ambasada Amerikane në Prishtinë, nga Ministria për Kulturë, Rini dhe Sport, nga Rektorati i Universitetit të Prishtinës, si dhe shënon vazhdimin e një bashkëpunimi të fuqishëm mes Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani” dhe Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë. Këtë vit, në bashkëpunim me Universitetin e Prishtinës, përmes projektit LNSS të Erasmus+, Java e Bibliotekës është pasuruar edhe me aktivitete për dyvjetorin e “Ditës Kombëtare të Vetëdijesimit për Biblioteka”.
Edicioni i kësaj Jave është organizuar edhe nga bibliotekat ndërkomunale të Pejës, Prizrenit, Gjilanit, në të cilat, po ashtu, do të zhvillohen veprimtari bibliotekare.
Mysafir special i Javës së Bibliotekës në Kosovë është dr. Robert Montoya, profesor i Shkencës së Bibliotekarisë dhe Informacionit në Universitetin Indiana Bloomington, ardhjen e të cilit e ka mundësuar Ambasada Amerikane në Kosovë.
Hapjes zyrtare të kësaj ngjarjeje, këtë vit, i parapriu aktiviteti “Biblioteka n’shesh – Fëmijët me nevoja të veçanta – bibliotearë të ardhshëm” që u mbajt në Sheshin “Zahir Pajaziti”. Në këtë aktivitet të organizuar nga Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani”, Biblioteka “Hivzi Sylejmani”, Asosacioni Nacional i Autizmit i Kosovës dhe Iniciativa qytetare “RB”, u zhvilluan aktivite të ndryshme për fëmijë, u kryen shërbime të bibliotekës nga fëmijët si dhe u lexuan libra për fëmijë.
Në ceremoninë e hapjes së Javës së Bibliotekës në Kosovë, mori pjesë kryeministri i Kosovës, z. Ramush Haradinaj, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, z. Greg Delawie, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, z. Kujtim Gashi, bibliotekarë dhe përfaqësues të bibliotekave të qyteteve të Kosovës dhe të Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë, profesorë, shkrimtarë, botues, si dhe përfaqësues të tjerë të kulturës e të politikës.

 

Biblioteka Kombëtare e Kosovës dhe Ministria e Diasporës

Biblioteka Kombëtare e Kosovës dhe Ministria e Diasporës

Biblioteka Kombëtare e Kosovës dhe Ministria e Diasporës

 
 

Në hapjen e Javës, drejtori i Bibliotekës Kombëtare, z. Fazli Gajraku, falënderoi të gjithë bibliotekarët, nxënësit/fëmijët me nevoja të veçanta - me aftësi të veçanta, që, siç tha ai “na japin dashni të pakundshoq dhe që janë sot me ne, që të gjithë të bëjmë punë për të tërhequr komunitetin - njerëzit në biblioteka, për të promovuar leximin, për të ndihmuar në kërkim, dhe shumë më tepër se kaq”.
Ai shtoi se kjo Javë e Bibliotekës, me temën “Arsimimi dhe Trajnimi Bibliotekar” është për të bërë çmos për të krijuar një program praktik bibliotekar – si obligim ligjor i Bibliotekës Kombëtare, program që kërkon të ofrojë dije themelore në fushën e bibliotekarisë dhe të shkencave të informacionit. Drejtori Gajraku, kërkoi përkrahjen e institucioneve të Kosovës që kjo veprimtari të jetë pikënisje e rritjes së ndërgjegjësimit dhe mbështjetjes për Bibliotekat e Kosovës.
Kryeministri i Kosovës, z. Ramush Haradinaj, e përshëndeti këtë aktivitet dhe vlerësoi punën e njerëzve që e ruajnë dhe e shpërndajnë librin, dhe që njëherit e ndërgjegjësojnë publikun për bibliotekat. Ai pohoi se Biblioteka nuk ka gëzuar vëmendje të mjaftueshme nga institucionet e Kosovës dhe u zotua se Qeveria do të rrugëtojë me të gjithë ata që e mbajnë të gjallë librin dhe bibliotekën, duke investuar kështu në infrastrukturën, shtrirjen, por edhe modernizimin e bibliotekave.
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, z. Kujtim Gashi, në fjalën e tij përshëndetëse e cilësoi Javën si një aktivitet tashmë me traditë dhe të suksesshëm në trajtimin, tematizimin dhe sensibilizimin publik mbi rëndësinë e bibliotekarisë në fushën e dijes dhe të kulturës. Ai tha se kjo veprimtari duhet shfrytëzuar për të reflektuar mbi problematikat, sfidat dhe ngecjet në fushën e bibliotekarisë, për t’i projektuar më mirë zgjidhjet dhe përspektivat e avancimit të kësaj fushe me rëndësi kritike për kulturën dhe dijen në Kosovë.
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, z. Greg Delawie shprehu pritshmërinë e tij që kjo Javë të jetë pikënisje e Bibliotekës Kombëtare dhe bibliotekave të tjera të vendit për krijimin e një programi aftësimi afatgjatë dhe të qëndrueshëm për gjithë Kosovën. Ai shtoi se zhvillimi i një kurrikule bazë për shkencën e bibliotekarisë dhe për aftësimin e mëtejmë të bibliotekarëve të rinj dhe mësimdhënësve është qenësore për t’u siguruar se bibliotekarët i kanë njohuritë e nevojshme për t’i shërbyer publikut.
Në edicionin e 16-të të Javës, siç është traditë, Biblioteka Kombëtare e Kosovës ndau mirënjohje për lexuesit dhe bashkëpunëtorët:
Ibrahim Kuçi - për kontributin e dhënë në pasurimin e koleksioneve të Bibliotekës me 9996 ekzemplarë;
Shqipe Ajeti dhe Teutë Muja- për përcjelljen e aktiviteteve të Bibliotekës;
Edona Rexhepi – për përdorimin e koleksioneve të Bibliotekës në baza ditore.
Në kuadër të programit të Javës së Bibliotekës, Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë, hapi ekspozitën “Skënderbeu në letërsi” me materiale të përzgjedhura nga koleksionet e kësaj biblioteke.
Drejtorja e BKSh-së, Persida Asllani, në hapje të ekspozitës, tha se askund më mirë se në figurën e Skënderbeut mishërohet sot e përbashkëta identitare mbarëkombëtare dhe europiane e shqiptarëve: një identitet i patjetërsueshëm, i pavarur nga kufijtë, nga hartat, pushtuesit, pushtetet, nga fetë, nga ideologjitë, nga valët e emigrimeve, nga rrjedhat e politikës kalimtare.
Ekspozita e cila, siç tha drejtorja Asllani “përcjell frymëzim marramendës e të shumëfaqshëm” përmban, veç librave të përzgjedhur me kujdes, edhe riprodhime nga gravurat e njohura që ilustrojnë antikuaret e mirënjohura të historisë dhe letërsisë botërore, duke filluar nga gravurat e Jost Amman, nga botimi gjerman i Barletit, Frankurt, 1577, për të vijuar me gravurat e hijshme të Nicolas Auroux, të realizuara posaçërisht për antikuarin e poemës së Johan Bussieres të botuar më 1658, si dhe skenat ilustruese të tragjedisë së Uincop, “Skënderbeu- Dashuria e Liria” i vitit 1747, ku përfytyrimi neoklasik në shprehi, ndejsi, mendësi e madje edhe interiere dhe veshje, i mvishet epokës heroike të arbrit.
Në ditën e parë të Javës së Bibliotekës u zhvilluan këto sesione:
*Krijimi i një programi integrues për aftësim në shkencat e bibliotekarisë dhe të informacionit (Dr. Robert Montoya)
* Bibliotekat Moderne:
- Revolucioni teknologjik: sfidë në formimin dhe trajnimin e vijueshëm bibliotekar kombëtar (Dr. Etleva Domi)
- Teknologjia dhe hapësira virtuale (Msc. Enilda Kola)
- Konservimi i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani” (Bekim Ramku, Fondacioni Kosovar i Arkitekturës)

 
     
 
     


All rights reserved by The National Library of Kosova. Copyright © 2014