» JAVA E BIBLIOTEKËS NË KOSOVË

     
 
 

Prishtinë, 11 prill 2017

Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani”, të martën, ka hapur edicionin e pesëmbëdhjetë të Javës së Bibliotekës me temë “E Drejta e Autorit dhe biblioteka”, veprimtari kjo që do të mbahet gjatë kësaj jave nga 11 deri më 14 prill.
Viti i pesëmbëdhjetë i Javës shënon vazhdimin e një përkrahjeje të Javës së Bibliotekës nga Ambasada Amerikane në Prishtinë, nga Ministria për Kulturë, Rini dhe Sport, nga Rektorati i Universitetit të Prishtinës, si dhe shënon vazhdimin e një bashkëpunimi të fuqishëm mes Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani” dhe Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë.
Edicioni i kësaj Jave është mbështetur edhe nga komuna e Pejës, Prizrenit, Ferizajt, në të cilat, po ashtu, do të zhvillohen veprimtari gjatë Javës së Bibliotekës në Kosovë.
Mysafir special i Javës së Bibliotekës në Kosovë, është Kyle K. Courtney, këshilltar për të Drejtat e Autorit në Universitetin e Harvardit, ardhjen e të cilit e ka mundësuar Ambasada e Amerikane në Kosovë.
Në ceremoninë e hapjes së Javës së Bibliotekës në Kosovë, mori pjesë kryeministri i Kosovës, z. Isa Mustafa, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, z. Greg Delawie, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, z. Kujtim Shala, ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Arsim Bajrami.
Në këtë ceremoni ishte edhe Drejtoresha e Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë, znj. Persida Asllani, këshilltarja për Bashkëpunim Ndërkombëtar e Bibliotekës Kombëtare dhe Universitare të Kroacisë, Jasenka Zajec, Këshilltare për Bashkëpunim Ndërkombëtar e Bibliotekës Kombëtare dhe Universitare e Kroacisë, Pamela Daëes, Drejtore e projektit Ndihma e Manchesterit Kosovës etj., profesorë, shkrimtarë, botues, bibliotekarë, si dhe përfaqësues të kulturës e të politikës.
Këtë Javë, Biblioteka e Shqipërisë ka sjellë në Kosovë ekspozitën “Musine Kokalari, vetëdija e shkrimit dhe qëndresës”, ndërsa që është organizuar midis dy bibliotekave kombëtare - të Shqipërisë dhe të Kosovës, konferenca e përbashkët shkencore për veprën e Musine Kokalarit, në të cilën kanë referuar studiues të të dy vendeve.

 

Biblioteka Kombëtare e Kosovës dhe Ministria e Diasporës

Biblioteka Kombëtare e Kosovës dhe Ministria e Diasporës

Biblioteka Kombëtare e Kosovës dhe Ministria e Diasporës

 
 
Në hapjen e Javës, drejtori i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, z. Fazli Gajraku është shprehur se qëllimi Javës nuk është për të mbledhur komunitetin bibliotekës në vetvete - bibliotekarët, këshillat e tyre, por një rrjet të gjerë njerëzish akademikë, publikë, mësimdhënës, lexues, qeveritarë, krijues të politikave dhe financues, me të cilët bibliotekarët duhet të zbulojnë vlerën e thellë të besimit në bibliotekë. Dhe, për më shumë, për një kthesë të sigurt të të menduarit e të të vlerësuarit të punës sonë, atë që e kërkojmë gjatë gjithë kohës, duhet të japim shembullin ne që punojmë në biblioteka. Ai tha se në kontekstin tonë, Java e Bibliotekës në Kosovë, jo vullnetshëm, po lë anash aktivitetet relaksuese e kreative, si një ftesë për librin e bibliotekat dhe ata që i përdorin ato - për t’u mbërthyer në një veprimtari të natyrës akademike, që përkon me nevojat që kanë bibliotekat, për të sanuar dhe korrigjuar devijimet që mund t’i kenë.
Me këtë rast, drejtori Gajraku përmendi, temë e Javës E Drejta e Autorit dhe Biblioteka, duke thënë se pa dhënë ndonjë krah lidhur me çështjen se si po sillemi - si po sillen bibliotekat me të Drejtën e Autorit, duhet ta nisim e ta sosim debatin, për ta pikësuar faktin se çfarë u takon bibliotekave si përgjegjësi - fondi i të cilave vlon prej përkatësisë së autorëve e autorësisë, ndërkaq që bibliotekari është në mes, jo për t’u sjellë në mënyrë hamendësues, por për të kuptuar përgjegjësitë që ka për mbrojtje të pronës intelektuale.
Në fjalën e tij përshëndetëse në hapjen e kësaj veprimtarie, kryeministri i Kosovës, z. Isa Mustafa premtoi se Qeveria e Kosovës do të vazhdojë ta përkrahë zhvillimin e Bibliotekës, projektet e saj e sidomos ato të infrastrukturës dhe ato të teknologjisë e të inovacionit. Z. Mustafa tha se Bibliotekat janë themelet të një shteti të shëndetshëm, bibliotekat u japin njerëzve mundësinë të përjetojnë ide të reja, të bëjnë kërkime shkencore, të mbledhin e të shpërndajnë përshtypje të mrekullueshme prej përfitimit që kanë gjatë përdorimit të tyre. Biblioteka reflekton diversitetin dhe karakterin, nevojat dhe pritjet e njerëzve tanë, hulumtuesve, profesorëve, studentëve, nxënësve. Këto nevoja e pritje janë shpesh të gjera e të çmueshme. Biblioteka është burimi më i plotë i kërkimit të informacionit, informacion ky i nevojshëm nga njerëzit si në aspektin personal, po ashtu edhe familjarë e zyrtarë.
Në botë, njerëzit e biznesit i përdorin burimet e bibliotekës për të marrë vendime të mençura për zhvillimin e biznesit e punonjësit i përdorini për të përmirësuar aftësitë e punës, profesorët për të arritur rezultate të larta shkencoret, studentët për të forcuar dijen akademike.
Më pas, ai tha se Qeveria e Kosovës, drejtpërdrejtë apo nëpërmjet dikastereve të saj do të vazhdojë ta përkrahë zhvillimin e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës në veçanti e bibliotekave në përgjithësi, ashtu siç më është fakt, Ministria e Kulturës ka përkrahur shumë projekte për Bibliotekën, për librin e për kulturën në përgjithësi, po ashtu Ministria e Arsimit dhe Ministria e Kulturës kanë filluar ta përkrahin projektin për digjitalizimin e Bibliotekës, e me këtë kanë reflektuar edhe qasjen e kësaj qeverie e cila do të bëjë të pamundurën për të përkrahur projektet e bibliotekës, sidomos ato të infrastrukturës fillimisht, dhe ato të teknologjisë e të inovacionit.
Ndërkohë që Ambasadori i SHBA-ve në Kosovë, z. Greg Delawie, lidhur me temën bosht të kësaj Jave, tha se “mbrojtja e të drejtave të pronësisë intelektuale dhe të drejtës së autorit janë thelbësore për zhvillimin e një ekonomie”. Me këtë rast, ai u bëri thirrje institucioneve të Kosovës, që të punojnë më shumë mbi çështjen e plagjiaturës, në mënyrë që të sigurohet kualitet më i lartë i arsimit.
Për Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Këshilli i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”, ka ndarë çmimin “Pjetër Bogdani”, për kontributin që ka dhënë në zhvillimin e Bibliotekës.
Kryetari i Këshillit të BKK-së, Muhamet Hamiti lidhur me ndarjen e këtij çmimi tha:
“Ky çmim i jepet Ambasadës Amerikane në Prishtinë për kontributin e të çmueshëm në zhvillimin e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani” dhe sistemit bibliotekar në Kosovë,
 
 
  • duke e angazhuar personalisht shefin e Sektorit për Marrëdhënie me Publikun z. MichaelMcClellan,në Këshillin e Bibliotekës, atëherë Kombëtare dhe Universitare të Kosovës në vitin 2002-2003
  • duke e përkrahur menaxhimin e Bibliotekës Kombëtare dhe Universitare me dr. KennethOberembt, drejtor i përkohshëm dhe më vonë me bashkëdrejtor i BKUK-së në vitin 2002-2003, i cili edhe e hartoi planin e parë strategjik për zhvillimin e Bibliotekës Kombëtare dhe asaj Universitare pas luftës në Kosovë
  • duke e përkrahur shkollimin e 9 bibliotekarëve në universitetet më prestigjioze amerikane të bibliotekarisë në vitin 2005, në vlerë më shumë se 350,000 dollarëve amerikanë
  • duke ofruar përkrahje financiare dhe materiale për bibliotekat e Kosovës dhe për Shoqatën e Bibliotekarëve të Kosovës në vlerë mbi 100,000 dollarëve amerikanë për materiale elektronike dhe fizike gjatë periudhave të ndryshme
  • duke e përkrahur zhvillimin e sistemit bibliotekar të Universitetit të Prishtinës
  • duke e mbështetur vazhdimisht Javën e Bibliotekës në Kosovë me 20 ekspertë nga bibliotekat e institucionet e ndryshme nga SHBA-të që prej themelimit të saj në vitin 2003
  • duke ofruar mbështetje dhe modernizim të vazhdueshëm të tri Këndeve Amerikane në Kosovë
  • duke e mbështetur zhvillimin profesional të personelit të Bibliotekës Kombëtare dhe bibliotekave të Kosovës me ekspertë të ndryshëm, përfshirë sjelljen e ekspertëve në kuadër të programit Fulbright.
    Duke u bazuar në këto, Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani” i jep Ambasadës Amerikane çmimin më të lartë të nderit “Pjetër Bogdani” për mbështetjen e zhvillimit të Bibliotekës Kombëtare, në veçanti, dhe bibliotekarisë në Kosovë, në përgjithësi”.

Persida Asllani, drejtoreshë e Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë, uroi hapjen e Javës së Bibliotekës, duke përmendur edhe bashkëpunimin institucional që kanë Kosova dhe Shqipëria. Ajo shpjegoi në detaje ekspozitën “Musine Kokalari, vetëdija e shkrimit dhe qëndresës”.
Biblioteka Kombëtare e Kosovës, në ditën e hapjes së Javës së Bibliotekës, ka ndarë mirënjohje për: Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Grupin “KOHA”, Familjen e Esad Mekulit, Kishën Protestane Ungjillore të Kosovës, Familjen e Shefki Ukajt, Z. Ymer Bytyqin, studentët e Degës së Antropologjisë.
Sesioni i parë i ligjëratës është filluar nga Kyle K. Courtney, Këshilltar për të Drejtën e Autorit në Universitetin e Harvardit, i cili ka bërë prezantimin për rolin e bibliotekave në Mbrojtjen e të Drejtave të Pronës Intelektuale dhe të Drejtës së Autorit.
Java, më pas, ka filluar me hapjen e ekspozitës “Musine Kokalari, vetëdija e shkrimit dhe qëndresës”, të sjellë nga Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë. Më pas është hapur konferenca shkencore “Musine Kokalari, vetëdija e shkrimit dhe e qëndresës”, në të cilën kanë referuar: Dr. Dhurata Shehri “Musine Kokalari: vetëdija e shkrimit”, Dr. Kujtim Rrahmani “Musine Kokalari: Hi e Hir”, Dr. Persida Asllani “Nënua plakë në Romë – aventura romane e zemrës shqiptare”, Dr. Femi Cakolli “Përralla dhe teologjikja në veprën e Musine Kokalarit” Dr. Albanë Mehmetaj “Vepra romane e Musine Kokalarit” dhe Ma. Blerina Rugova-Gaxha “Musine Kokalari - Gruaja”
Në ditën e parë të Javës është organizuar nga Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Kultura kroate në Kosovë: retrospektivë e botimeve në shqip dhe kroatisht”, në të cilën kanë folur Lavdije Rrahmani, Qendra e Bibliotekës Universitare dhe Jasenka Zajec, Këshilltare për Bashkëpunim Ndërkombëtar e Bibliotekës Kombëtare dhe Universitare e Kroacisë. Është promovuar libri “Komunikimi dhe bashkëpunimi Kroaci-Kosovë”, i dr. Muhamet Sadikut, në të cilin promovim kanë folur: Dr. Muharem Cërabregu “Kontributi ndëruniversitar Zagreb-Prishtinë”, Mr. Besa Berberi “Mjedisi miqësor kroat për studentët shqiptar”, Dr. Anton Nikë Berisha “Rëndësia e bashkëpunimit kulturor, letrar dhe muzikor në mes të Kroacisë dhe Kosovës”.
Konferencën shkencore për “Musine Kokalarin, vetëdija e shkrimit dhe qëndresës”, organizuar nga Biblioteka Kombëtare e Kosovës dhe nga Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë. Në këtë konferencë kanë referuar: dr. Dhurata Shehri “Musine Kokalari: vetëdija e shkrimit”; dr. Kujtim Rrahmani “ Musine Kokalari “ Hi e Hir”; dr. Fehmi Cakolli “Përralla dhe teologjia në veprën e Musine Kokalarit”; dr. Mark Marku “ ‘E huaja’ mes të vetëve”; dr. Albanë Mehmeti “ Vepra romane e Musine Kokalarit”; ma. Blerina Rugova-Gaxha “Musine Kokalari – Gruaja”.

 
 
     


All rights reserved by The National Library of Kosova. Copyright © 2014