» Sali Bashota: Sytë e kujtesës kombëtare në 70 vjet të BKK-së
         
 

Prishtinë, 25 nëntor 2014

Pagjumësia ideale e njerëzve të Kosovës ka një lidhje shpirtërore me Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, prandaj portreti i këtij institucioni në këtë 70-vjetor e ka historinë e vet më të admirueshme, ndërsa sytë e kujtesës e kanë një dëshmi të dokumentuar.
Institucionit të tanishëm, Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”, shtatë herë ia kanë ndërruar emrin. Numri 7, këtë herë, nuk është numër i shenjtë, sepse nuk ka të bëjë fare me kodin e vet, as me simbolikën e 99 kupolave, as me dritaret zenitale, as me grilat e bronzta që ua ndalin frymën rrezeve ultraviolete që të mos ua prishin qetësinë apo lumturinë librave në rafte.
Përdoruesit e fondeve, të cilët hynë e dalin në këtë Tempull të Dijes, e dinë fare mirë se në të dyja hyrjet e ndërtesës së këtij institucioni është nga një shenjë e veçantë. Në hyrjen e përdoruesve të fondeve, e themi ne, në hyrjen e studentëve, të cilët studiojnë në Universitetin e Prishtinës, e që janë krenaria e këtij institucioni, rri drejt në këmbë, i gdhendur në dru, Libri i Pavarësisë, me shenjën e shkronjave të arta 17 shkurt 2008, që bashkë me Këndin Amerikan japin madhështinë e dijes universale dhe të kujtesës kombëtare këtij institucioni. Ndërsa në hyrjen tjetër, hyrja zyrtare, është varur në mur Trungu i Miqve të Bibliotekës. Dhe aty në gjethet e pemës së miqësisë ka shumë emra të personaliteteve, botuesve, miqve të librit, institucioneve etj., që kanë kontribuar me donacione të ndryshme e të shumta në zhvillimin e këtij institucioni, duke filluar nga Ambasada e SHBA-ve në Prishtinë, Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë, familja e Fehmi Aganit, familja e Hasan Mekulit, familja e Krist Malokit, Patricia Nugges etj.
Biblioteka Kombëtare e Kosovës për 70 vjet është valëvitur midis sukseseve dhe sfidave të shkruara e të pashkruara. Jeta e saj, sa ka moshën e një njeriu, është qëndresë dhe ekzistencë, dashuri dhe krenari, por edhe vuajtje e sakrificë. Nga viti 1990 e deri në vitin 1999 në këtë institucion u aplikuan masat e dhunshme, duke ua mohuar lexuesve shqiptarë të drejtën për shërbime, pra ishte periudha e okupimit dhe e inkuizicionit, e shkatërrimit, e zhdukjes së koleksioneve bibliotekare.

 

Dr. Sali Bashota
Kryetar i këshillit drejtues të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës "Pjetër Bogdani"

 
         
 

Të nderuar pjesëmarrës,

Një metaforë shqiptare do ta shënjonte fjalën më të mrekullueshme të Emersonit për bibliotekën si kabinet magjik, ku mbyllen mendjet e shumta dhe të magjepsura apo përkufizimin e Borhesit, i cili e kishte imagjinuar parajsën në formën e një biblioteke. Secila ide apo mendim na shpie deri te kuptimi i një fakti dhe realiteti për historipërjetimin shtatëdhjetëvjeçar të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës.
Dorëshkrimet, librat e rinj, librat e vjetër, fotografitë, hartat, koleksionet e muzikës, gazetat, revistat etj., në gjuhë të ndryshme të botës, secila prej tyre e ka rëndësinë e vet në pasqyrën e kohës së Kosovës për plot 70 vjet, prandaj BKK-ja e ka krijuar kohën e vet me njerëzit e vet në rrethana të caktuara shoqërore e politike. Vendi i lindjes, Prizreni i vitit 1944 dhe vendi i rritës dhe i zhvillimit të këtij institucioni, Prishtina, kryeqyteti i Republikës së Kosovës, sot e kanë metaforën e vet të lirisë dhe të pavarësisë.
BKK-ja për 70 vjet ka pasur suksese të mëdha në shumë drejtime dhe në shumë fusha. Pasurimi i koleksioneve, zhvillimi dhe përpunimi i tyre elektronik nëpërmjet programit të automatizuar bibliotekar, themelimi i veprimtarive me karakter ndërkombëtar dhe kombëtar “Java e Bibliotekës në Kosovë” (2003), bashkë me Ambasadën e SHBA-ve në Prishtinë dhe “Konferenca Kombëtare e Bibliotekonomisë” (2006) bashkë me Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë, themelimi i “Portalit Albanologjik Shqipëri - Kosovë” (2011), projekt i dy bibliotekave kombëtare të Shqipërisë dhe Kosovës, bashkëpunimi ndërkombëtar, veprimtaria botuese etj., janë disa nga rezultatet e këtij institucioni.
Ministria e Arsimit, Shkencës dhe e Teknologjisë, nën autoritetin e së cilës ishte Biblioteka Kombëtare dhe Universitare e Kosovës deri në vitin 2013, e ka mbështetur zhvillimin e këtij institucion në arritjen e sukseseve të mëdha, ndërsa Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë ka dhënë dhe vazhdon të japë kontribut të pakursyer në zhvillimin e BKK-së.
Edhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, nën autoritetin e së cilës që nga viti 2014 është BKK-ja, është duke i dhënë mbështetje të gjithanshme këtij institucioni më të lartë bibliotekar në Kosovë.
Në këtë 70-vjetor dëshiroj t’i falënderoj, në radhë të parë punëtorët e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, njerëzit e librit, për vullnetin, përkushtimin dhe besimin për punën që e bëjnë.
Mirënjohje të veçantë për Dr. Kenneth Oberembt, ish-drejtorin e përkohshëm të BKUK-së në një nga periudhat më të vështira të këtij institucioni. Nga Dr. Keni, si i thoshim ne, kam mësuar se çka është misioni i bibliotekës kombëtare për zhvillimin e një shoqërie.
Gjithashtu, peng të mirënjohjes sime janë edhe ish-drejtorët e këtij institucioni, poeti Bedri Hysa dhe studiuesi Hasan Mekuli, të cilët kultin për librin e kanë pasur mision shpirtëror dhe kombëtar.
Gëzuar 70 vjetori i BKK-së!

(Kryetar i Këshillit Drejtues të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”)

 
 
     
 

 
     
     
     


All rights reserved by The National Library of Kosova. Copyright © 2014