» Veton Firzi: Një emër me të cilin mburreshim dhe mburremi
         
 

Prishtinë, 25 nëntor 2014

Edhe në ditë të zakonshme ardhja në Bibliotekën Kombëtare është gjithmonë ndjenjë e veçantë. Është ai moment kur njeriu shesh rrugëtimin e popullit nëpër vite dhe natyrisht vizionet tona për të ardhmen. Biblioteka Kombëtare, bashkë me komponentin Universitar, për këto shtatë dekada ka rrëfyer dhe ruajtur momentet e ecjes sonë dhe u ka dhënë dritë qëllimeve tona. Për më tepër, ky institucion ka qenë pjesë e krenarisë sonë, e vlerave tona të mirëfillta dhe emri me të cilin gjithmonë me mburrje u jemi prezantuar të tjerëve.
Dua ta shpreh mirënjohjen e MKRS-së për çdo individ, çdo institucion që ka kontribuar në këtë rrugëtim të gjatë. Andaj, urime për këtë përvjetor!
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në dy vjetët e fundit ka pasur ndër prioritetet e saj rritjen e mbështetjes për librin, publicistikën dhe për bibliotekat. Për këtë ne tashmë kemi rritur buxhetin dhe zhvilluar idetë e përkrahjes që jep shteti në këtë drejtim. Përveç formës së mbështetjes për botimin e titujve të ri të librave, Ministria do të ndajë fonde të veçanta për blerjen e librave dhe shpërndarjen e tyre në bibliotekat komunale.
Natyrisht se, për t’i lëvizur gjërat përpara, shpesh duhet një bazë e mirë ligjore. Vitin e kaluar kemi miratuar Ligjin për Bibliotekat, dokument ky që tashmë po sjell ndryshimet praktike dhe parasheh edhe një hap tjetër të rëndësishëm të zhvillimit të bibliotekarisë në Kosovë. Pra, ne tashmë kemi Bibliotekën Kombëtare, që është një institucion i Ministrisë së Kulturës. Jo pak sfida na kanë përcjellë deri tash në funksionimin e bibliotekës. Të gjitha këto varen nga puna që ne bëjmë. Shfrytëzoj rastin të them se Biblioteka Kombëtare meriton një trajtim të veçantë, të dinjitetshëm. Biblioteka Kombëtare duhet të jetë një institucion i ruajtjes së historisë sonë, i kultivimit të dijes dhe një institucion përfaqësues dinjitoz. Këto ne i arrijmë nëpërmjet bashkëpunimit qëllimmirë dhe me synimin që këtë institucion ta ngrehim në nivel të lartë.
MKRS-ja garanton se do të jetë gjithnjë në përkrahje të menaxhmentit të Bibliotekës Kombëtare, duke luajtur gjithmonë vetëm rolin e lehtësuesit, për kushte më të mira të punës, për pasurimin e fondit dhe për lidhje të bashkëpunimit me institucione ndërkombëtare simotra. Ne tashmë për këtë vetëm se kemi filluar angazhimet.
Duke ju falënderuar edhe një herë të gjithë juve që keni kontribuar për zhvillimin e bibliotekarisë në Kosovë, ngritjen dhe zhvillimin e Bibliotekës Kombëtare, u pafshim në ditë edhe më të mira. Ju faleminderit!

Veton Firzi
(Sekretar i përgjithshëm në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit)

 

Veton Firzi
Sekretar i përgjithshëm në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit

 
         
 

 

 
 
     
 

 
     
     
     


All rights reserved by The National Library of Kosova. Copyright © 2014