» Ekspozita “Peizazhe” e Vangjo Vasilit

     
 
 

Prishtinë, 07 qershor 2017

Në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës është përuruar ekspozita me peizazhe e piktorit të mirënjohur shqiptar Vangjo Vasili. Kurator i kësaj ekspozite është artisti Kujtim Buza, i cili edhe foli në hapje të kësaj ngjarjeje.
Z. Buza e cilësoi privilegj hapjen e kësaj ekspozite në Kosovë, e aq më tepër në Bibliotekën Kombëtare, siç e quan ai, qendër të vlefshme kulturore ku janë zhvilluar shumë ngjarje të rëndësishme artistike. Ai më tej foli për vendlindjen e piktorit Vasili, Pogradecin, si pjesë e inspirimit të tij si artist, ashtu si dhe të shumë krijuesve të tjerë të këtij qyteti.
Ai theksoi se piktori Vasili zotëron një stil origjinal i cili është një rrezatim i brendshëm shpirtëror që reflektohet në telajo, mbi të cilën hodhi gjendje që kalonin nga ditë shiu, dallgë, dimër i acartë dhe erë e fortë; nga një soditës plot dashuri në emocione drithëruese, prekëse.
Z. Buza e uroi Vasilin nga, siç tha ai, kjo pjesë e dhimbshme dhe shumë e dashur e atdheut, ku Drini që çan mes për mes liqenit sjell histori.

Vangjo Vasili ndau me të pranishmit emocionet për ardhjen për herë të parë në Prishtinë si dhe për çeljen e kësaj ekspozite, e cila, siç tha ai, do të mbetet e paharruar për të.

Drejtori i Bibliotekës Kombëtare, z. Fazli Gajraku e përshëndeti hapjen e kësaj ekspozite dhe e vlerësoi atë si datë të rëndësishme në kalendarin kulturor të Bibliotekës.
Piktori shqiptar Vangjo Vasili, i lindur në Pogradec më 1949, ka përfunduar studimet në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë më 1974. Ai është pjesëmarrës në ekspozita kombëtare dhe ndërkombëtare.
Ekspozita “Peizazhe” do të jetë e hapur në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës deri më 17 qershor.


 

Biblioteka Kombëtare e Kosovës dhe Ministria e Diasporës

 

Biblioteka Kombëtare e Kosovës dhe Ministria e Diasporës

Biblioteka Kombëtare e Kosovës dhe Ministria e Diasporës

 

 
 

 

 
 
     


All rights reserved by The National Library of Kosova. Copyright © 2014