» BIBLIOTEKA EVROPIANE NË BKUK
         
 

Prishtinë, 6 dhjetor 2007

Sot është edhe një ditë tjetër e veçantë për Bibliotekën Kombëtare dhe Universitare të Kosovës, e cila po kurorëzohet me hapjen e një dritareje të re në këtë Tempull të Librit e të Diturisë.

Pra, Biblioteka Evropiane, bashkë me Këndin Amerikan, Bibliotekën e NATO-s, Bibliotekën e Artit Bashkëkohor, janë disa nga projektet më të suksesshme, që i ka realizuar këtyre viteve të fundit Biblioteka Kombëtare dhe Universitare e Kosovës, në bashkëpunim me miqtë tanë amerikanë dhe evropianë.

Themelimi dhe përurimi i Bibliotekës Evropiane, në bashkëpunim me Zyrën Ndërlidhëse Gjermane në Prishtinë dhe me Iniciativën Evropiane të Kosovës, për Bibliotekën Kombëtare dhe Universitare të Kosovës, është njëri ndër projektet më të rëndësishme, që mund të kontribuojë në prezantimin, avancimin, afirmimin e konceptit evropian për zhvillime të ndryshme në shumë drejtime, madje në fushën e integrimit kulturor të Kosovës me bashkësinë ndërkombëtare, kuptohet për të qenë të pavarur, pastaj më të përparuar, natyrisht edhe më të lumtur.

Biblioteka Evropiane, është projekti i tretë i suksesshëm, i realizuar bashkë me Zyrën Gjermane në Prishtinë, pas hapjes së Bibliotekës së Artit Bashkëkohor dhe donacionit me libra dhe revista të vlefshme nga Instituti i Studimeve Juglindore i Universitetit të Munihut.

Biblioteka Evropiane, duke u pasuruar me literaturë të një spektri të gjerë të gjuhëve të Evropës, ndër të tjera, do të ofrojë informacione më rëndësi në shumë fusha shkencore. Gjithashtu, funksioni i saj kulturor do të ketë ndikim edhe në shkëmbimin e përvojave dhe në afirmimin e vlerave shumëgjuhësore evropiane, qoftë në specifikat e veçanta të kulturave dhe të identiteteve nacionale, qoftë të specifikave të një spektri më të gjerë.

Kosova si pjesëmarrëse e civilizimit evropian, e njohur edhe me personalitete të përmasave botërore, tani me Bibliotekën Evropiane do t’u ofrojë lexuesve literaturë të zgjedhur e të nevojshme, duke ofruar informacione për proceset zhvillimit të shteteve në kuadër të Evropës së Bashkuar apo për specifikat e pluralizmit kulturor dhe të arriturat tjera në shumë fusha.

Biblioteka Evropiane, e themeluar në kuadër të BKUK-së, pikërisht në kryeqytetin e Kosovës, pra në Prishtinë, do të jetë në shërbim të të gjithë përdoruesve, duke e kryer një funksion të rëndësishëm kulturor e edukativ, me shumëllojshmërinë e literaturës, por duke realizuar edhe programe me interes të shkëmbimit të ideve, përvojave dhe vlerave të veçanta dhe të përbashkëta të popujve të Evropës.

Rruga e Kosovës drejt shtetësisë së saj, në këtë dhjetor, tani po fillon edhe me kulturën, librin, bibliotekat, pra me hapjen e Bibliotekës Evropiane në kuadër të Bibliotekës Kombëtare dhe Universitare të Kosovës. Gjithashtu, edhe revista për shtëpinë e përbashkët “Evropa”, që po përurohet sot, gjithsesi, është një fillim i mbarë, i cili premton për vizionin e Kosovës jo më përballë, por brenda Evropës.

Lexuesit, veçanërisht studentët, pa dyshim, do të ndihen edhe më të lumtur, sepse në Bibliotekën Kombëtare dhe Universitare të Kosovës, do të funksionojnë dy biblioteka : Këndi Amerikan dhe Biblioteka Evropiane, që do t’ju ofrojnë shërbime efikase e dobiprurëse, gjithsesi, për përhapjen e diturisë, për njohjen dhe afirmimin e demokracisë, për perspektivat e tyre në të tashmen dhe të ardhmen.

Ftoj të gjithë përfaqësuesit e Zyrave Ndërlidhëse në Kosovë, që të kontribuojnë në pasurimin e fondeve, në ofrimin e programe kulturore për të zhvilluar dhe përparuar Bibliotekën Evropiane.

Shembulli i Republikës Federale të Gjermanisë, përfaqësuar nga Zyra Ndërlidhëse Gjermane në Prishtinë dhe i Iniciativës Evropiane të Kosovës, është shumë domethënës e frymëzues për një projekt kaq të rëndësishëm për lexuesit në Kosovë.

Mirë se vini në Bibliotekën Evropiane!

Urime dhe Gëzuar!

Prof. dr. Sali Bashota

 

 

 
» LAJME TJERA ...
 
 
» 90 vjet të Bibliotekës Kombëtare tė Shqipėrisė
» Portali Albanologjik "Shqipëri Kosovë"
» Kongresi i 75-të i IFLA-s në Milano tė Italisė
» Biblioteka Evropiane në BKUK
» Sesion bibliotekar me temën SIB Aleph 500
» ...
 
     

 
         
         
         

 
     
     
     


All rights reserved by The National Library of Kosova. Copyright © 2014