» Sesion bibliotekar me temën SIB Aleph 500
         
 

Prishtinë, 4 shtator 2008

Në BKUK, u mbajt Sesioni bibliotekar me temën: Sistemi i Integruar Aleph500 në Bibliotekat e Kosovës.
 
Në këtë sesion morën pjesë mese 100 bibliotekarë nga të gjitha bibliotekat e Kosovës dhe zyrtarë të arsimit e kulturës.
Ky sesion kishte për qëllim njoftimin e bibliotekarëve, profesionistëve dhe vendimmarrësve për biblioteka lidhur me fazën e parë të modernizimit dhe automatizimit të bibliotekave publike të Kosovës. Automatizimi i bibliotekave në Kosovë është i domosdoshëm, duke u mbështetur në zhvillimin e përgjithshëm të shoqërisë kosovare.
 
Ky sesion kontribuoi në këtë drejtim,duke ofruar një platformë dhe projekte konkrete për realizimin e këtij synimi të Bibliotekës Kombëtare dhe Universitare të Kosovës dhe bibliotekave të tjera publike në Kosovë.
 
Sesioni u zhvillua në dy pjesë ku referuan dhe paraqitën kumtesa e prezantime:
 
1. Dr. Sali Bashota, Drejtor i Bibliotekës Kombëtare dhe Universitare të Kosovës, i cili mbajti një fjalë hapjeje:
Fjala e hapjes e Dr. Sali Bashotës në këtë sesion;
 
2. Besim Kokollari, Udhëheqës i programit Aleph500, me temën: Projekti Aleph në rrjetin e bibliotekave të Kosovës;
 
3. Ramush Zeka, Shef i departamentit të TI-së, me temën: Administrimi harduerik dhe softuerik i SIB Aleph500;
 
4. Lavdije Rrahmani, Shefe e departamentit të pasurimit, me temën: Aleph-i dhe procesi i pasurimit të koleksioneve në BKUK.
 
5. Bukurije Haliti, Shefe e departamentit të katalogimit, me temën: Katalogu dhe katalogimi - perspektivat e zhvillimit të programit Aleph në Kosovë.
 
Sesioni u përcoll me diskutime dhe debate konstruktive, ku të pranishmit paraqitën pikëpamje të ndryshme lidhur me zhvillimin dhe modernizimin e bibliotekave të Kosovës.

Fjala e hapjes:

Sali Bashota

Drejtor i BKUK-së

Qëllimi i organizimit të këtij sesioni bibliotekar me temën: Sistemi i integruar Aleph 500në bibliotekat e Kosovës, me pjesëmarrje të gjerë, në radhë të parë, të përfaqësuesve të bibliotekave të Kosovës, si dhe të përfaqësuesve të institucioneve qeveritare, shkencore, arsimore, kulturore të Kosovës është i mirëseardhur dhe besojmë në rezultatet e këtij sesioni, i cili parashihet me ligjërata të veçanta dhe me debate për modalitetet e shtrirjes së këtij programi.

Siç është e njohur, Biblioteka Kombëtare dhe Universitare e Kosovës ka në përdorim programin e automatizuar bibliotekar Aleph 500, njërin ndër programet më të avancuara në botë në fushën e bibliotekave, i cili është në përdorim në më se 50 shtete të botës, me një shtrirje të madhe, sidomos në Evropë dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Duke u ndërlidhur me rëndësinë e këtij programi për bibliotekat e Kosovës, shkurtimisht po i paraqes disa fakte:

E para: Sistemi i automatizuar bibliotekar Aleph 500, produkt i Kompanisë izraelite Ex Libris është programi më i avancuar në botë. BKUK ka blerë këtë program nga kompania Ex Libris, me seli në Londër, më 15 mars 2004 , ndërsa puna në modulin e katalogut ka filluar më 5 shtator 2005 dhe deri më tani janë futur në bazën e të dhënave mbi 50.000 njësi bibliografike.

Ky program, pas një tenderimi publik ndërkombëtar i është ofruar në formën e blerjes BKUK-së me çmim të përgjithshëm: 121.660 euro, ndërsa mirëmbajtja vjetore e programit e ka vlerën 16.400 euro. BKUK ka në përdorim 22 licenca për bibliotekarë, ndërsa 42 licenca për përdorues të jashtëm të këtij programi. Duhet theksuar se në bazë të kërkesave në rritje, tani BKUK ka 9 licenca më shumë se sa blerja fillestare.

E dyta: Ministria e Kulturës, e Rinisë dhe e Sporteve, përkatësisht Divizioni i Promovimit në Planin Aksional për realizimin e projekteve për vitet 2006, 2007 dhe 2008 ka planifikuar 560.000 euro për integrimin e Bibliotekave ndërkomunale në programin Aleph 500, dhe deri më tani nuk është ofruar ndonjë mbështetje në këtë drejtim. Tani shpresojmë dhe besojmë që ky planifikim të fillojë realizimin që nga viti 2009 e tutje.

E treta : BKUK, e cila sipas Ligjit për Bibliotekat, është qendër e organizimit dhe e menaxhimit të rrjetit bibliotekar në Kosovë, në këtë vit e ka shtrirë rrjetin e programit bibliotekar Aleph 500 në bibliotekat ndërkomunale të Kosovës me licenca testuese dhe funksionale, ndërkaq vlera e investimit të BKUK-së për automatizimin e shërbimeve bibliotekare vetëm në bibliotekat e Prizrenit dhe të Prishtinës është 51.000 euro.

E katërta: BKUK duke u mbështetur në zhvillimin e këtij programi në bibliotekat e Kosovës, ka hartuar dy projekte paralele: njërin për automatizimin e shërbimeve bibliotekare në bibliotekat ndërkomunale të Kosovës dhe tjetrin për automatizimin e shërbimeve bibliotekare për bibliotekat e fakulteteve të Universitetit të Prishtinës dhe si rrjedhojë projektet u janë dorëzuar Rektoratit të Universitetit të Prishtinës, Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë dhe, gjithsesi, presim mbështetje financiare të këtyre projekteve për vitin 2009.

E pesta : OSBE-Misioni në Kosovë, respektivisht Departamenti për Zhvillim të Arsimit të Lartë, pos që ka investuar në shumë projekte të BKUK-së, po ashtu ka kontribuar në zhvillimin e këtij programi, financiarisht dhe me trajnime jashtë vendit.

E gjashta: Programi Aleph 500, pos BKUK-së dhe bibliotekave ndërkomunale, parashihet të shtrihet edhe në të gjitha bibliotekat e fakulteteve të Universitetit të Prishtinës, pastaj në Bibliotekën e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në bibliotekat e institucioneve më të larta shkencore e kulturore etj., në mënyrë që të krijohet katalogu përmbledhës i materialeve bibliotekare në Kosovë që është një nga projektet më kapitale të bibliotekarisë, i cili u ofron lexuesve informacione të shpejta e të sakta për koleksionet bibliotekare në përgjithësi.

E shtata: Besojmë dhe shpresojmë se BKUK në mbështetje dhe bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, Ministrinë e Kulturës, Universitetin e Prishtinës, OSBE dhe institucione të tjera qeveritare dhe ndërkombëtare, si dhe me Kompaninë Ex Libris me seli në Londër, do të arrijë suksese në realizimin e këtij projekti për bibliotekat e Republikës së Kosovës.

(Fjalë hyrëse, me rastin e organizimit të sesionit bibliotekar me temën :Sistemi iintegruar Aleph 500 në bibliotekat e Kosovës, Prishtinë, më 4 shtator 2008)

 

 

 

 
» LAJME TJERA ...
 
 
» 90 vjet të Bibliotekës Kombëtare tė Shqipėrisė
» Portali Albanologjik "Shqipëri Kosovë"
» Kongresi i 75-të i IFLA-s në Milano tė Italisė
» Biblioteka Evropiane në BKUK
» Sesion bibliotekar me temën SIB Aleph 500
» ...
 
     
 

 

 

 
         
         
         

 
     
     
     


All rights reserved by The National Library of Kosova. Copyright © 2014