» Mbahet konferenca shkencore dhe Ekspozita "Anton Pashku - shkrimtar"

     
 
 

Prishtinë, 17 maj 2017

Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani” dhe Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë organizuan të mërkurën, në 80-Vjetorin e lindjes së Anton Pashkut, konferencën shkencore dhe ekspozitën “Anton Pashku - shkrimtar”.
Në hapje të kësaj konferencës, drejtori i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, z. Fazli Gajraku e cilësoi  Anton Pashkun si një autor që habit me tekstin e vulën e autorësisë për tekstin, dhe si një autor që vijon të frymëzojë ata që e lexojnë dhe e shkruajnë letërsinë dhe për kaq vjet e jetojnë të fshehtën e veprës së tij.  
Realizimin e projekteve të përbashkëta me Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë, si kjo konferencë, z. Gajraku e vlerësoi si një dimension esencial i të dyja bibliotekave, të cilat po i rikthejnë në kujtesë autorët e tekstet përmes ekspozimit të materialeve që janë në fondet e bibliotekës për autorët, përmes hartimit të bibliografive të autorëve dhe për autorët. Sipas tij, i gjithë ky mund i bibliotekave dhe bibliotekarëve, pason me zërin/leximin e studiuesve, në një konferencë shkencore, ashtu siç është konferenca për Pashkun, të një leximi të përqendruar, që i heton e i klasifikon domethëniet e tekstit, duke e bërë të përnjëmendtë rikthimin e kujtesës e të emocionit për autorin.
Drejtoresha e Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë, znj. Persida Asllani, çmoi lartë vlerat e veprës së Anton Pashkut, si dhe qëllimin e të dyja bibliotekave për realizimin e projekteve të tilla të përbashkëta, që i bëjnë të mendojnë dhe të punojnë si një bibliotekë kombëtare unike dhe e përbashkët. Realizimin e ekspozitave, konferencave, bibliografive dhe botimeve të përbashkëta për veprën e çmuar të Pashkut, ashtu sikurse atë të De Radës, Kadaresë, Rugovës dhe Musine Kokalarit, znj. Asllani  e sheh jo vetëm si kremtim dhe përulje me nderim përpara veprës dhe kontributit të tyre, por edhe si thirrje për një moment të ri dhe cilësor reflektimi, njohjeje të ndërsjellë të autorëve dhe të personaliteteve të jetës shpirtërore të kombit.  
Në konferencën shkencore “Anton Pashku - shkrimtar”, u prezantuan një sërë kumtesash nga studiues nga Kosova dhe Shqipëria.
Konferenca u hap me ligjëratën e Akademik Sabri Hamitit “Antoni i fundit”, për të vijuar me Msc. Brunilda Tahiri & Dr. Persida Asllani “Anton Pashku në Shqipëri - një rrugëtim i vështirë drejt leximit”, Dr. Anton N. Berisha “Anton Pashku një nga stilistët më të mëdhenj të letërsisë shqipe”, Dr. Gazmend Krasniqi “Anton Pashku - një kanon letrar”, Dr. Erenestina Halili “Skena e Pashkut”, Dr. Besim Rexhaj “Struktura e personazhit të Sinkopës së Pashkut”, PhDc. Arian Krasniqi “Dramatika e Anton Pashkut”, Dr. Albanë Mehmetaj, “Romani i Anton Pashkut”, Agron Y. Gashi “Pashku - Primus litterarum”.

 

Biblioteka Kombëtare e Kosovës dhe Ministria e Diasporës

Biblioteka Kombëtare e Kosovës dhe Ministria e Diasporës

Biblioteka Kombëtare e Kosovës dhe Ministria e Diasporës

Biblioteka Kombëtare e Kosovës dhe Ministria e Diasporës

Biblioteka Kombëtare e Kosovës dhe Ministria e Diasporës

 
 

Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani” ka publikuar edhe një katalog për Anton Pashkun, si referencë themelore për botimet e Pashkut dhe për Pashkun, që në këto rrethana nuk mund të zëvendësohet nga kërkimet në internet të bazave të të dhënave, nga katalogët e bibliotekave dhe i interneti për këtë autor. Ky katalog gjithëpërfshirës është hartuar nga kërkimi i librave, por dhe i periodikut me përqendrim në Gazetën “Rilindja”, dhe në revistat shkencore e letrare, si: Dituria, Thema, Jeta e re, Fjala, Zani i Rinise, Flaka e Vëllazërimit, Bota e Re.
Pas  konferencës shkencore “Anton Pashku - shkrimtar”, është hapur ekspozita me libra dhe artikuj të dhe për Anton Pashkun.

 
 
     


All rights reserved by The National Library of Kosova. Copyright © 2014