» PROMOVOHET LIBRI I AUTORES BRITANIKE NAOMI HAMILL "SI TË JESH NUSE KOSOVARE"

     
 
 

Prishtinë, 11 gusht 2017

Në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”, të premten, u promovua libri “Si të jesh nuse kosovare”, i autores britanike Naomi Hamill.
Në këtë promovim, autorja e romanit, e cila është, njëkohësisht, edhe kryetare e organizatës MaK (Ndihma e Manchesterit Kosovës), foli për lidhjen e saj të pashkëputshme që ka krijuar me popullin e Kosovës që nga viti 2004, kur edhe filloi kontributin e saj si pjesë e organizatës MaK.
Ajo tha se libri “Si të jesh nuse kosovare”, është një rrëfim fiksional, sado që titulli të kujton e të shtie në mend zhanrin e një libri udhëzues të formës joletrare. Ky libër, siç tha ajo, përmbledh histori e rrëfime të ndryshme që asaj i janë treguar, e të cilat më pas kanë marrë formën e fiksionit, të mëshiruara në dy personazhe me fate të kundërta që paraqesin dy stereotipe femrash kosovare e që ndoshta diku mes tyre qëndron realiteti. Ajo shtoi se ky libër nuk flet vetëm për femrat kosovare dhe rolin që u është përcaktuar nga shoqëria, por për femrat në përgjithësi, për njerëzimin në përgjithësi.

 

Biblioteka Kombëtare e Kosovës dhe Ministria e Diasporës

Biblioteka Kombëtare e Kosovës dhe Ministria e Diasporës

 
 

Në pjesën e fundit të këtij promovimi, autorja Hamill lexoi disa pjesë të librit të saj, si dhe zhvilloi një bisedë me të pranishmit, duke iu përgjigjur pyetjeve për librin dhe motivin që e shtyu ta trajtojë një temë që përfshin realitetin kosovar.
Në këtë promovim, për autoren foli edhe Pamela Dawes, njëra ndër themelueset e organizatës MaK, e cila shpalosi detaje nga jeta, karriera, dhe përfshirja në MaK e autores së librit - Naomi Hamill. Ajo foli për studimet e autores, profesionin dhe udhëtimin e përvitshëm në Kosovë, aty ku edhe MaK nisi aktivitetin para shtatëmbëdhjetë vjetësh. Dawes theksoi se ky libër pasqyron lidhjen e fortë emocionale që Hamill ka krijuar me Kosovën, të shprehur, siç tha ajo, me një stil tejet të veçantë. Ajo gjithashtu rrëfeu për rrethanat që kishin çuar deri te botimi i librit dhe atë se çfarë mund të përçojë ky libër tek lexuesi.

Në promovimin e librit “Si të jesh nuse kosovare”, mori pjesë ambasadori i Britanisë së Madhe, z. Ruairi O’connoll, znj. Pamela Dawes, njëra ndër themeluesit e organizatës MaK, drejtori i Bibliotekës “Hivzi Sulejmani”, z. Munish Hyseni, si dhe lexues e përfaqësues të jetës institucionale e kulturore të Kosovës.

Naomi Hamill u lind në Wales në vitin 1979. Ajo i kreu studimet për Anglisht në vitin 2002 dhe u trajnua për mësimdhënëse një vit më vonë. Studimet e nivelit Master i përfundoi në degën Shkrim Kreativ dhe gjatë kësaj kohe shkroi vazhdimisht për Kosovën.
Prej vitit 2015 është kryetare e organizatës MaK (Manchester Aid to Kosovo).
Libri pritet që së shpejti të përkthehet në gjuhën shqipe.

 
 
     


All rights reserved by The National Library of Kosova. Copyright © 2014