» Hapet ekspozita e koleksionit të Librave Antikuar për Skënderbeun e Patricia Nugee

     
 
 

Prishtinë, 15 tetor 2018

Në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”, të hënën, u hap ekspozita “Jeta dhe kohërat e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, Heroit Kombëtar Shqiptar”, e koleksionit të Librave Antikuar të koleksionistes së njohur britanike, Patricia Nugee.
Ekspozita, pjesë e aktiviteteve për shënimin e Vitit Mbarëkombëtar për Skënderbeun, përmban 37 botime antikuare për Skënderbeun, botime këto që i takojnë koleksionit personal të Patricia Nugee.
Drejtori i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, z.Fazli Gajraku e vlerësoi ekspozitën “Jeta dhe kohërat e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, Heroit Kombëtar Shqiptar” si një ndër ekspozitat më të rralla që janë hapur në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës. Duke çmuar përkushtimin e znj.Nugee për koleksionimin e botimeve të vjetra për Skënderbeun, ai kujtoi se botimi më i vjetër në Bibliotekën Kombëtare është libri “Historia e Jetës dhe e Bëmave të Skënderbeut” i vitit 1533, i dhuruar pikërisht nga kjo koleksioniste.
Patricia Nugee, koleksionistja e pasionuar pas figurës së Skënderbeut, në hapje të ekspozitës falënderoi Bibliotekën Kombëtare të Kosovës dhe Qeverinë e Kosovës që e mundësuan vizitën e saj në Prishtinë dhe organizimin e kësaj ekspozite, “ashtu që të mund të shihet nga shqiptarët, historinë e të cilëve ai përfaqëson”.
Këshilltari i kryeministrit të Kosovës, z.Jahja Lluka, njëherësh dhe kryetar i Komisionit Qeveritar për Vitin Mbarëkombëtar të Skënderbeut përshëndeti hapjen e ekspozitës dhe shprehu mirënjohjen e tij për kontributin e znj.Nugee në mbledhjen e librave për Skënderbeun.
Ndërkaq, ish – drejtori i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, z. Sali Bashota, në mandatin e të cilit u krijua bashkëpunimi me Patricia Nugee, grumbullimin e librave për figurën e Skënderbeut e cilësoi si nder dhe krenari për popullin shqiptar.
Në ekspozitën “Jeta dhe kohërat e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, Heroit Kombëtar Shqiptar” janë ekspozuar 37 libra të botuar në mes të shekujve XVI dhe XVIII në Romë, Augsburg, Strasburg, Veneci, Frankfurt, Londër, Lisbonë dhe Madrid, Paris, Amsterdam, Brescia, Edinburg, Napoli, Stokholm dhe Danimarkë.
Ekspozita “Jeta dhe kohërat e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, Heroit Kombëtar Shqiptar” do të qëndrojë e hapur në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës deri të martën.

 

Biblioteka Kombëtare e Kosovës dhe Ministria e Diasporës

Biblioteka Kombëtare e Kosovës dhe Ministria e Diasporës

Biblioteka Kombëtare e Kosovës dhe Ministria e Diasporës

Biblioteka Kombëtare e Kosovës dhe Ministria e Diasporës

Biblioteka Kombëtare e Kosovës dhe Ministria e Diasporës

Biblioteka Kombëtare e Kosovës dhe Ministria e Diasporës

Biblioteka Kombëtare e Kosovës dhe Ministria e Diasporës

Biblioteka Kombëtare e Kosovës dhe Ministria e Diasporës

 
     
 
     


All rights reserved by The National Library of Kosova. Copyright © 2014